"

July 13, 2013

Shkëlzen Berisha

Rinas, 
çarter arab, 
valixhe metalike, 
dhe… 

Një mbërritje e beftë e Shkëlzen Berishës herët në mëngjes në Rinas ka shkaktuar jo pak kërshëri për punonjësit e turnit të aeroportit të Rinasit. I shoqëruar gjatë gjithë kohës nga vetë shefi i komisariatit të Rinasit, Shkëlzen Berisha ka qëndruar për më shumë se një orë në aeroport dhe vizita e tij duket e lidhur me zbritjen në pistë të një avioni për të cilin ka të dhëna se i përket një kompanie arabe. Avioni ishte “çarter”.
Informacioni është dhënë dje për DITA nga një burim i sigurtë, zyrtar i aeroportit, dëshmitar okular. Shkëlzen Berisha ka kaluar nga seksioni VIP dhe ka qëndruar në pritje të çarterit në ambientet e këtij seksioni për rreth një orë së bashku me tri valixhe metalike të një kubature mesatare, brendia e të cilave mbetet enigmë. Kur në pistë ka qëndruar një çarter në trupin e të cilit ishin të shkruara shkronja arabe, drejt tij kanë shkuar dy persona, truproja e Berishës dhe një person tjetër që shoqëronte gjithashtu Shkëlzen Berishën. Të dy personat njëri me dy valixhe dhe tjetri me një valixhe në dorë kanë futur në çarter ngarkesën e Shkëlzen Berishës, i cili nuk ka lëvizur nga zona VIP.  Vetëm pasi çarteri është ngritur nga pista e Rinasit, Shkëlzeni ka lëvizur nga aeroporti dhe është kthyer për në Tiranë. Gjatë gjithë kohës atë e ka shoqëruar shefi i komisariatit të Rinasit”, – theksoi burimi.
Zënka në aeroport
Por edhe përpara vizitës së djeshme duket se Shkëlzeni në ditët e fundit ka qenë një “vizitor” i shpeshtë i aeroportit. Afro 4-5 ditë më parë ai është parë në shoqërinë e biznesmenit Damir Fazlliç ku të dy kanë udhëtuar drejt Malit të Zi. Gjatë qëndrimit në aeroport Shkëlzen Berisha ka reaguar dhe ndaj dy punonjësve të cilët në fillim nuk e njohën dhe i kërkuan që ti nënshtrohej kontrollit si gjithë pasagjerët e tjerë. Por ky problem duket se u zgjidh shumë shpejt dhe Shkëlzeni fluturoi i qetë drejt Malit të Zi.
“Përpara katër ditësh Shkëlzeni ka udhëtuar me biznesmenin Damir Fazlliç drejt Malit të Zi. Mbase kanë udhëtuar dhe drejt ndonjë shteti tjetër më pas. Kur u paraqit në aeroport te ne në Rinas ka debatuar edhe me një doganier dhe një polic, pasi ata nuk e njohën dhe i kërkuan që të ndalej dhe të bëhej kontrolli sipas rregullave. Por pasi kanë konstatuar që personi në fjalë ishte Shkëlzen Berisha punonjësit janë tërhequr. Shkëlzeni e ka regjistruar këtë lëvizje normalisht në sistem, ndërsa biznesmeni Fazlliç nuk u regjistrua në sistem. Kanë qëndruar 2 ditë jashtë Shqipërisë” – bën të ditur për DITA, i njëjti zyrtar i Rinasit.

Valixhet metalike si paisje e sigurisë së lartë
Nëse lundron në internet shumë kompani të specializuara sigurie ofrojnë valixhet e sigurisë së lartë, që zakonisht janë valixhe metalike që shërbejnë për transport valute, çeqesh, diamantesh, gurësh të çmuar, kontratash, dokumentesh trashëgimie, etj. Këto valixhe zakonisht janë të pajisura me një çip, që i bën të lokalizueshme në çdo kohë nëpërmjet sistemit GPS. Këto lloj valixhesh janë të siguruara me mbrojtje trefishe, kundër zjarrit, plumbave dhe hapjes me forcë. Zakonisht këto valixhe nëse tenton ti hapësh me forcë janë të pajisura edhe me një lloj solucioni që lë shenjë tek valuta apo dokumentet që transportohen. Vlera e një valixheje të tillë varion nga 1500-3700 dollarë amerikanë, në varësi të standardit të sigurisë që ka valixhja dhe kompanisë siguruese që e ofron.












No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!